Trump vazhdon fushatën zgjedhore në Ajova

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një tubim në Ajova më 14 tetor ndërsa ai vazhdon një javë maratonë të aktiviteteve të fushatës zgjedhore, nëpër shtetet ku i duhet një fitore.

Trump fitoi Ajova-n më 2016, por ky shtet tani bën pjesë në shtetet ku pritet të jetë një garë e ngushtë në zgjedhjet presidenciale që mbahen më 3 nëntor në të cilat rival i Trumpit është kandidati demokrat, Joe Biden.

Ajova është gjithashtu kritike për kontrollin mbi Senatin, ku republikanët rrezikojnë të humbin shumicën e tyre. Një mesatare e sondazheve tregojnë se senatori aktual, republikan Joni Ernst po e pason rivalen demokrate, Theresa Greenfield.

“Njëzet ditë nga sot, ne do të fitojmë këtë shtet”, tha Trump në aeroportin Des Moines, ku shumë njerëz ishin tubuar, mirëpo nuk kishin vendosur maska mbrojtëse dhe as nuk mbanin distancë fizike.

I përballur me kritika për trajtimin e situatës me pandeminë e COVID-19, Trump ka përdorur infeksionin dhe shërimin e tij për të justifikuar minimizimin e virusit. Ai gjithashtu ka theksuar përpjekjet e administratës së tij për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Ndërkohë, Biden nuk mori pjesë në ndonjë ngjarje publike. Në vend të kësaj, ai mbajti një organizim virtual për mbledhje fondesh nga Uilmington, dhe u dërgoi mesazh përmes një video-incizimi myslimanëve amerikanë.

Biden njoftoi përmes Twitter se fushata e tij mblodhi 383 milionë dollarë në shtator.

Fushata e tij tani ka 432 milionë dollarë. Fushata e Trumpit dhe Komiteti Kombëtar Republikan nuk kanë publikuar shifrat e tyre të mbledhjes së fondeve për muajin shtator. Në gusht, Biden grumbulloi 365 milionë dollarë krahasuar me 210 milionë dollarë të fushatës së Trumpit.

Trump dhe Biden duhej të zhvillonin një debat të dytë presidencial më 15 tetor, por presidenti nuk pranoi të merrte pjesë sepse Komisioni jopartiak për Debatin Presidencial vendosi që debati të mbahet në formë virtuale për shkak se Trump në atë kohë ishte i infektuar me koronavirus.