Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar së fundmi se urrejtja mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, është e paimagjinueshme.
Duke folur për gazetarët gjatë qëndrimit të tij në Morristoën të dielën, Trumpi ka thënë se nuk beson që dy presidentët e shteteve në luftë, mund të takohen dhe të zhvillojnë bisedime.
Për më tepër, ai ka thënë se duket sikur do t’i duhet t’i kryejë ai vetë këto bisedime.
“Urrejtja midis Zelenskyt dhe Putinit është e paimagjinueshme. Nuk e di, mendoj se do të duhet të flas vetë për gjithçka. Ata e urrejnë njëri-tjetrin”, ka thënë Trumpi.
Presidenti amerikan po ashtu ka kritikuar vendet e BE-së që blejnë naftë ruse.
“Shikoni, Evropa është… ata janë miqtë e mi. Por ata po blejnë naftë nga Rusia. Unë nuk dua që ata të blejnë naftë. Dhe sanksionet që po vendosin, nuk janë mjaftueshëm të ashpra. Dhe unë jam i gatshëm të vendos sanksione, por ata do të duhet të ashpërsojnë sanksionet e tyre në përputhje me atë që po bëj unë”, është shprehur ai.
Pas një samiti që Trumpi ka zhvilluar me Putinin më 15 gusht në Alaska, presidenti amerikan besonte se shumë shpejt do të ndodhte një takim mes presidentit rus dhe atij ukrainas.
Zelensky ka kohë që e kërkon një takim të tillë, mirëpo Moska zyrtare nuk ka dhënë sinjale për vullnet të ngjashëm nga Putini.