Trump: Unë e meritoja Nobelin e paqes!

Presidenti amerikan, Donald Trump duket se mendon që ai është neglizhuar nga akademia suedeze e Nobelit, në ndarjen e çmimit për paqen.

“Do t’ju them diçka për çmimin Nobel të paqes. Unë bëra një marrëveshje, shpëtova një vend dhe më pas dëgjova se kreu i atij vendi po merrte çmimin Nobel për paqen se ai e kish shpëtuar vendin. Dhe thashë: Çfarë bëra unë? Por, ju e dini, kështu funksionon. Në fund të fundit, ka rëndësi ajo që unë arrita. Kurseva një luftë të madhe. Shpëtova shumë njerëz”, shprehet presidenti.

Kështu është shprehur ai para mbështetësve në një tubim elektoral në Ohajo, mbrëmjen e të enjtes. Edhe pse Trump nuk e përmend me emër fituesin e Nobelit të paqes dhe as vendin, është e qartë që ai i referohet kryeministrit etiopian Abiy Ahmed. Ky i fundit, shefi më i ri i një qeverie në Afrikë, mori detyrën në prill 2018 dhe ka ndërmarrë një seri reformash për liberalizimin e Etiopisë, duke shkundur atë që dikur ishte një vend i kontrolluar. Ai mori çmimin Nobel në tetor të vitit të kaluar me motivacionin për angazhimin në zgjidhjen e konfliktit kufitar me Eritrenë fqinje. Por ajo që analistët nuk kuptojnë tani, është roli që Trump thotë se ka patur në ndërmjetësimin e paqes mes Etiopisë dhe Eritresë.

Sipas tyre, ndikimi i SHBA në bisedimet e paqes ka qenë minimal. Emiratet e bashkuara arabe në anën tjetër janë angazhuar jo pak. Nuk dihet për se Trump e përmend tani këtë, por interesant është fakti se ai nuk e ka uruar Abiyn për çmimin. Trump ndërkohë ka përmendur më herët angazhimin e tij për denuklearizimin e koreve dhe bisedimet me Kim Jong Un, si një mandat për cmimin Nobel të paqes.