Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të enjten vonë se të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë janë ndërprerë përfundimisht, shkaku i asaj që ai e quajti reklamë mashtruese, në të cilën ish-presidenti i ndjerë, Ronald Reagan, fliste negativisht për tarifat.
Trump vendosi tarifa ndaj çelikut, aluminit dhe automjeteve kanadeze në fillim të këtij vitit, duke bërë që Otava të përgjigjej me masa të ngjashme.
SHBA-ja dhe Kanadaja kanë qenë duke biseduar tash e disa javë për një marrëveshje të mundshme në sektorët e çelikut dhe aluminit.
“Bazuar në sjelljen e tyre skandaloze, të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë janë ndërprerë”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.
Doug Ford, kryeministër i provincës kanadeze Ontarios, tha në fillim të kësaj jave se reklama nga provinca e tij me mesazhe kundër tarifave e kishte tërhequr vëmendjen Trumpit.
Reklama e shfaq Reaganin, i cili ishte republikan, duke i kritikuar tarifat ndaj mallrave të huaja dhe duke thënë se ato çojnë në humbjen e vendeve të punës dhe në luftëra tregtare.
“Kam dëgjuar se presidenti e pa reklamën tonë. Jam i sigurt se nuk ishte shumë i kënaqur”, tha Ford të martën.
Fondacioni Presidencial Ronald Reagan tha në një komunikatë të enjten vonë se reklama nga Qeveria e Ontarios po “përdor audio dhe video të përzgjedhura” të Reaganit dhe se fondacioni po shqyrton opsionet ligjore.
“Reklama e shtrembëron fjalimin presidencial të Ronald Reaganit në radio [të vitit 1987], dhe Qeveria e Ontarios nuk ka kërkuar as marrë leje për ta përdorur apo redaktuar atë material”, thuhet në deklaratë.
Qeveria e Kanadasë nuk ka folur ende lidhur me vendimin e Trumpit.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney u tha gazetarëve të enjten se Kanadaja nuk do të lejojë që SHBA-ja të ketë qasje të padrejtë në tregjet e saj, nëse dështojnë bisedimet për marrëveshjet e ndryshme tregtare me Uashingtonin.
Vitin e ardhshëm, SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika pritet ta rishikojnë marrëveshjen e tyre nga viti 2020 për tregti të lirë kontinentale./REL




