Trump thotë se dëshiron të jetë në pushtet deri në vitin 2035

Donald Trump ka bërë shaka duke thënë se do të largohet nga detyra pas “tetë ose nëntë vjetësh”, në mënyrë që të mund të përdorë sallën e tij të re tw banketeve.

Duke folur në një samit për bizneset e vogla, presidenti amerikan tha: “Kur të largohem nga detyra, le të themi, pas tetë ose nëntë vjetësh, do të jem në gjendje ta përdor atë. Do të jem në gjendje ta përdor vetë”, duke iu referuar sallës së re.

Më parë këtë javë, çështja e një mandati të tretë për Trump u vu përsëri në pikëpyetje kur një nga të nominuarit e tij gjyqësorë u pyet nëse Trump mund të kandidonte për një mandat tjetër. Senatori Chris Coons pyeti drejtpërdrejt një nga të nominuarit e Presidentit nëse Trump ishte i kualifikuar të kandidonte përsëri në vitin 2028.

“Pa marrë parasysh të gjitha faktet dhe duke parë gjithçka… varësisht nga situata, kjo më duket më shumë si hipotetike. Do të duhej ta rishikoja formulimin e saj”, u përgjigj ai.

Senatori Coons më pas pyeti nëse ndonjëri prej të nominuarve mund ta konfirmonte Amendamentin e 22-të dhe të pajtohej me atë që thuhej në të – dhe u prit me heshtje, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.