Donald Trump raportohet të ketë deklaruar gjatë një takimi privat me donatorë vitin e kaluar se dikur u përpoq ta pengonte presidentin rus Vladimir Putin të sulmonte Ukrainën, duke kërcënuar se do të “bombardonte Moskën deri në fund” në shenjë hakmarrjeje, sipas audios incizimit që e posedon CNN.
“Me Putinin i thashë: ‘Nëse hyni në Ukrainë, do ta bombardoj Moskën deri në fund. Po ju them se nuk kam zgjidhje tjetër’”, tha Trump gjatë një mbledhjeje fondesh në vitin 2024, sipas audios.
“Dhe pastaj [Putin] thotë, si, nuk ju besoj. Por ai më besoi 10%”, shtoi presidenti amerikan.
Trump më vonë pretendoi se i kishte përcjellë një paralajmërim të ngjashëm presidentit kinez Xi Jinping në lidhje me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, duke i thënë se SHBA-të do të bombardonin Pekinin si përgjigje.
“Ai mendonte se isha i çmendur”, tha Trump për Xi, përpara se të vinte në dukje se “nuk kemi pasur kurrë problem”.
Vërejtjet, të cilat erdhën ndërsa Trump paraqiti argumentet e tij për një mandat të dytë, ishin ndër ato të kapura në një seri audio kasetash të mbledhjeve të fondeve të vitit 2024 në Nju Jork dhe Florida, të cilat u morën më vonë nga Josh Dawsey, Tyler Pager dhe Isaac Arnsdorf, të cilët detajuan disa nga shkëmbimet në librin e tyre të ri, “2024”.
Audioja nuk është transmetuar më parë. Fushata e Trump nuk pranoi të komentojë mbi përmbajtjen e kasetave. Audioja tregon një anë më të hapur të Trump që ai ishte i gatshëm ta zbulonte pas dyerve të mbyllura për t’u bërë thirrje donatorëve të pasur – kur foli jo vetëm për strategjinë e tij të politikës së jashtme, ndonjëherë agresive, por edhe për deportimin e studentëve protestues dhe mendimin e tij se “njerëzit e mirëqenies” do të votojnë gjithmonë për demokratët.
Trump iu referua bisedave të tij me Putinin dhe Xi-në ndërsa argumentoi se do të kishte shmangur konfliktet në Ukrainë dhe Gaza, nëse do të ishte president në vend të Joe Biden – një pretendim që ai vazhdon ta përsërisë ndërsa tani përpiqet t’i japë fund të dy luftërave.
Të martën, Trump shprehu përsëri zhgënjimin me rezistencën e Putinit ndaj një marrëveshjeje paqeje, duke u ankuar se udhëheqësi rus po i hidhte “shumë budallallëqe” SHBA-së.
“Nuk jam i kënaqur me Putinin. Jam shumë i pakënaqur me të”, tha ai gjatë një takimi të kabinetit.