Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka deklaruar se Irani ka rënë dakord për shumicën e listës prej 15 pikash të kërkesave që SHBA-të i përcollën, nëpërmjet Pakistanit për t’i dhënë fund luftës.
I pyetur nëse Irani iu përgjigj këtyre pikave, presidenti u tha gazetarëve në bordin e Air Force One: “Ata po bien dakord me ne për planin. Ne kërkuam 15 gjëra dhe do të kërkojmë edhe disa gjëra të tjera”.
Teherani nuk e pranoi menjëherë planin 15-pikësh javën e kaluar. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, më herët tha se mesazhet janë shkëmbyer përmes ndërmjetësve, por shfaqi skepticizëm ndaj qëndrimit të Uashingtonit.
Trump tha gjithashtu se Irani i ka dhënë SHBA-së naftën që do të dërgohet nesër për të vërtetuar se janë seriozë në bisedime.
“Sot na dhanë një dhuratë tjetër. Na dhanë 20 anije me naftë që fillojnë të transportohen nesër. Po zhvillojmë takime shumë të mira, si drejtpërdrejt ashtu edhe tërthorazi, dhe mendoj se po marrim shumë pika shumë të rëndësishme”, tha Trump.
Siç kanë raportuar mediat e huaja më herët plani 15-pikësh dyshohet se përfshin angazhimin e Iranit për të mos pasur armë bërthamore, dorëzimin e uraniumit të pasuruar në masë të madhe, kufizime në aftësitë mbrojtëse të Teheranit, fundin e grupeve rajonale të ndërmjetësuara dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
© SYRI.net



