Trump takon Mamdanin: Do të jetë një kryetar i shkëlqyer

Kryetari i zgjedhur i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin amerikan Donald Trump.

Trump e ka uruar Mamdanin për fitoren e tij në zgjedhje, duke thënë se ai “vërtet zhvilloi një garë të jashtëzakonshme kundër shumë njerëzve të zgjuar”

“Ai i mundi ata dhe i mundi me lehtësi”, tha Trump.

Ai shton se ata diskutuan tema si strehimi dhe ushqimi, si dhe çmimi i naftës.

“Dua vetëm ta përgëzoj atë. Mendoj dhe shpresoj se do të bëhet një kryetar vërtet i shkëlqyer”, shtoi Trump.

“Sa më mirë të veprojë ai, aq më i lumtur jam unë.”

“Ne do ta ndihmojmë atë, që ëndrra e të gjithëve të bëhet realitet.”

Edhe Mamdani vlerësoi takimin “produktiv” me Trumpin.

“Ne jemi shumë të qartë në lidhje me qëndrimet dhe pikëpamjet tona, dhe ajo që vlerësoj vërtet te presidenti është se takimi që patëm u përqendrua… në qëllimin e përbashkët që kemi në shërbim të njujorkezëve”, tha ai.

“Sinqerisht, kjo është diçka që mund të transformojë jetën e 8.5 milionë njerëzve që aktualisht po përballen me një krizë të kostos së jetesës, me një në katër që jetojnë në varfëri.”

Ndryshe, Trump është pyetur në lidhje me kërcënimin e tij të mëparshëm për të dërguar trupa në rrugët e New Yorkut.

“Mendoj se kemi njohur vrasës dhe tregtarë droge të njohur dhe disa njerëz shumë të këqij”, tha presidenti i SHBA-së.

“Në fakt, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, Mamdani dëshiron të ketë një New York të sigurt… mund të flasim për çfarë të doni, nëse nuk keni rrugë të sigurta, nuk do të ketë sukses. Kështu që do të punojmë së bashku.”

Trumpi pyetet gjithashtu nëse do të ndihej rehat të jetonte në New York nën udhëheqjen e Mamdanit.

“Do të ndihesha shumë, shumë rehat po të isha në New York”, tha ai.