Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se Uashingtoni dhe Irani kanë zhvilluar “biseda frytdhënëse” për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin në Lindjen e Mesme.
Ai theksoi gjithashtu se do t’i “pezullojë të gjitha sulmet ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane” për një periudhë pesëditore.
Bisedimet me Iranin do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, tha Trump në një postim në rrjetet sociale.
“E kam udhëzuar Departamentin e Luftës që t’i pezullojë të gjitha sulmet ushtarake ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim”, shkroi ai.
Të shtunën, Trump e kishte paralajmëruar Iranin se centralet e tij elektrike do të shkatërroheshin nëse Teherani nuk do ta “hapte plotësisht” Ngushticën e Hormuzit për të gjithë transportin detar brenda 48 orësh. Trump e caktoi afatin deri të hënën rreth mesnatës.
Paralajmërimi i tij nxiti kërcënime për kundërpërgjigje nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila në një deklaratë të hënën tha se do t’i sulmonte centralet elektrike të Izraelit dhe ato që i furnizojnë bazat amerikane në rajonin e Gjirit, nëse Trump do ta zbatonte kërcënimin e tij për ta “shkatërruar plotësisht” rrjetin energjetik të Iranit.
Më shumë se 3.000 njerëz janë vrarë në luftën që SHBA-ja dhe Izraeli e nisën më 28 shkurt, sipas grupit iranian për të drejtat e njeriut, HRANA.
Lufta ka tronditur tregjet, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka lëkundur aleancën perëndimore të pasluftës.
Kërcënimi për sulme ndaj rrjeteve elektrike në Gjirin Persik ka rritur frikën për ndërprerje të mëdha në procesin e shkripëzimit të ujit për pije dhe ka trazuar edhe më shumë tregjet e naftës./REL



