Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit në një mënyrë ose tjetër, duke paralajmëruar se transferimi i tyre do të bëhej “në një formë shumë më armiqësore” nëse negociatat dështojnë.
Ai më parë pati thënë se Irani ishte “pajtuar për gjithçka” në bisedimet me SHBA-në, përfshirë punën e përbashkët për të larguar uraniumin e pasuruar nga vendi dhe dërgimin në SHBA.
“Jo. Jo trupa”, ka deklaruar Trumpi për CBS kur u pyet nëse përpjekja për marrjen e uraniumit do të kërkonte trupa amerikane në terren. Ai shtoi se do të shkonin bashkë me palën iraniane dhe nga aty do ta merrnin në SHBA, raportoi CNN.
“Do ta marrim së bashku sepse deri atëherë ne do të kemi një marrëveshje dhe nuk ka nevojë për luftë kur të ketë një marrëveshje”, ka theksuar ai.
Më vonë gjatë një tubimi në Arizona, Trumpi përsëriti pretendimin derisa theksoi pikat kyç të marrëveshjes me Iranin.
“SHBA-ja do të marrë të gjithë pluhurin bërthamor. E dini çfarë është pluhuri bërthamor? Është ajo substanca e bardhë pluhur e krijuar nga bombarduesit tanë B2… Ne do ta merrnim gjithsesi”, ka potencuar ai.
Trumpi e ka përdorur termin “pluhur bërthamor” për t’iu referuar rezervës së uraniumit të pasuruar, por ky nuk njihet si term në industrinë e energjisë bërthamore.
Një zyrtar i lartë i Iranit ka mohuar se Irani është pajtuar që t’ia dërgojë SHBA-së rezervat e uraniumit. Po ashtu, ka mohuar pretendimin e Trumpit se Irani do ta ndërprejë pasurimin e uraniumit duke thënë se Irani “kurrë nuk do të pranojë përjashtim nga e drejta ndërkombëtare”.



