Trump: Rruga drejt paqes në Ukrainë mbetet e paqartë

Rruga përpara për bisedimet e paqes në Ukrainë është e paqartë, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump, pas atyre që ai i quajti bisedime “mjaft të mira” midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë, të cilat megjithatë nuk rezultuan me ndonjë përparim.

Pas takimit të tyre disaorësh në Kremlin të martën, i dërguari special i SHBA-së ,Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, pritet të takohen me negociatorin kryesor ukrainas, Rustem Umerov në Florida të enjten.

Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale të mërkurën, Trumpi ka thënë se Putini do të donte të bënte një marrëveshje.

“Nuk mund t’ju them se çfarë del nga ai takim sepse duhen dy për të kërcyer tango”, ka deklaruar Trumpi.

E Kremlini ka thënë të mërkurën se Putini ka pranuar disa propozime të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe ishte i përgatitur të vazhdonte të punonte për të gjetur një kompromis, por se “kompromiset nuk janë gjetur ende”.

Të dyja palët kanë rënë dakord të mos zbulonin përmbajtjen e diskutimit të tyre në Kremlin, por të paktën një pengesë e madhe për një zgjidhje mbetet dhe këtu përfshihet fati i katër rajoneve ukrainase që Rusia i kontrollon pjesërisht.

Një zyrtar rus u ka thënë gazetarëve se “deri më tani, nuk është gjetur një kompromis” për çështjen e territorit, çështje pa të cilën, Kremlini nuk sheh “zgjidhje të krizës”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga territori që Rusia ka pushtuar dhe të mërkurën ka thënë se ekipi i tij po përgatitej për takime në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se dialogu me përfaqësuesit e Trumpit do të vazhdojë.