Trump rrit tarifat për vizat H-1B, mijëra të rinj indianë rrezikojnë ëndrrën amerikane

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të rritur ndjeshëm tarifën për vizën e punës H-1B ka shkaktuar zhgënjim dhe pasiguri për mijëra të rinj indianë që kishin planifikuar të ndërtonin jetën në ShBA.

Nga rreth 2,000 dollarë, kostoja e aplikimit është rritur deri në 100,000 dollarë, duke e bërë të papërballueshme për shumë kompani sponsorizimin e punonjësve të huaj.

Kjo tarifë prek drejtpërdrejt profesionistë të rinj nga sektori i teknologjisë dhe shërbimeve, shumica nga India, që përbënin mbi 70% të të gjitha vizave H-1B në vitin 2024.

Tani, shumë kompani amerikane pritet të punësojnë talent vendas për shkak të kostos më të ulët, ndërsa firmat që tradicionalisht mbështeteshin tek punonjësit indianë janë të detyruara të shkurtojnë planet për rekrutim në SHBA.

Për të rinjtë si Meghna Gupta, një profesioniste në sektorin IT që kishte ndërtuar gjithë jetën me synimin për të emigruar në SHBA para moshës 30-vjeçare, vendimi i Trump është një “shaka mizore”.

“Gjithçka në jetën time rrotullohej rreth ëndrrës për të punuar dhe jetuar në Amerikë. Sot, ajo duket thjesht si një iluzion,” tha ajo për Al Jazeera.

Ekspertët paralajmërojnë se vendimi mund të dëmtojë vetë SHBA-të, pasi imigrantët kanë qenë kyç për inovacionin dhe suksesin e teknologjisë amerikane. Kompanitë si Amazon, Google, Meta dhe Apple kanë qenë ndër më të mëdhatë përdoruese të vizave H-1B për të tërhequr talente të specializuara nga e gjithë bota.

Ndërsa qeveria indiane bën thirrje për kthimin e talenteve në vend, shumë të rinj po mendojnë më shumë drejt Kanadasë, Australisë apo Evropës, sesa kthimin në Indi, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mundësive për inovacion.