Trump rikthen planin për Groenlandën: Mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në vëmendje idenë e vendosjes së Groenlandës nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, duke lënë të kuptohet përmes një serie postimesh në rrjetin e tij social Truth Social dhe deklaratave publike se territori mund të bëhet pjesë e SHBA-së.

Gjatë një interviste për Real America’s Voice, Trump u pyet nëse vazhdon të jetë i interesuar për Groenlandën.

“A po e shikoni ende Groenlandën? Kam parashikuar se, para se të largoheni nga detyra, ajo do të jetë nën kontrollin operativ të Shteteve të Bashkuara”, e pyeti moderatori Steve Gruber.

“Po, mendoj se keni të drejtë. Groenlanda është shumë e rëndësishme nga këndvështrimi ynë. Duhet ta bëjmë këtë hap”, u përgjigj Trump.

Në një nga postimet e tij në Truth Social, Trump shkroi se Groenlanda mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.

Trump ka shprehur prej kohësh dëshirën që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës, territor gjysmëautonom i Danimarkës, duke argumentuar se ai ka rëndësi të madhe strategjike për mbrojtjen kombëtare të SHBA-së.

Edhe pse më herët kishte deklaruar se nuk e përjashtonte përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll territorin, më vonë ai sqaroi se nuk kishte ndërmend të përdorte forcën ushtarake.

Presidenti amerikan e riktheu këtë çështje edhe gjatë samitit të NATO-s muajin e kaluar, kur deklaroi se Groenlanda “duhet të jetë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, jo të Danimarkës”.

© SYRI.net