Trump pret viktima të tjera amerikane në luftimet me Iranin

Presidenti Donald Trump tha se operacionet luftarake kundër Iranit do të vazhdojnë deri sa SHBA-ja të arrijë qëllimet e saj strategjike në këtë konflikt.

“Luftimet po vazhdojnë aktualisht me forcë të plotë dhe do të vazhdojnë derisa të përmbushen të gjitha objektivat tona”, tha presidenti Donald Trump në një video-mesazh të publikuar në platformën e tij Truth Social lidhur me sulmin ndaj Iranit. Sipas Trumpit një Iran me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe me armë bërthamore përbën një kërcënim serioz për çdo amerikan. “Ne nuk mund të lejojmë që një komb që krijon ushtri terroriste të zotërojë armë të tilla.” – tha ai.

Trumpi i bëri sërish thirrje Gardës Revolucionare që të dorëzojë armët. Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjithë “patriotëve iranianë” që tashfrytëzojnë këtë moment dhe ta rimarrin vendin në duart e tyre. Tani është radha e tyre, tha Trumpi. “Por ne do të jemi aty për të ndihmuar.”

Trump i gatshëm për bisedime

“Ata duan të bisedojnë, dhe unë kam rënë dakord, kështu që do të flas me ta”, tha Trump në një intervistë telefonike me revistën “The Atlantic”. Nga ana tjetër Trumpi i akuzoi iranianët se kishin hezituar për shumë kohë.

Trumpi nuk bëri të ditur se kur saktësisht do të zhvillohen këto bisedime. Presidenti i SHBA-së theksoi gjithashtu se disa iranianë që kishin qenë të përfshirë në negociatat e mëparshme nuk janë më gjallë. E paqartë është gjithashtu nëse edhe pala iraniane është e gatshme për bisedime.

Hakmarrje për ushtarët e vrarë

Në video-mesazhin e tij Presidenti amerikan Trump tha gjithashtu se për tre ushtarët e vrarë amerikanë gjatë kundërsulmeve iraniane do të merret hak. Por njëkohësisht ai pranoi se ka gjasa që ata të mos jenë viktimat e fundit në radhët e ushtrisë amerikane.

Në videon rreth gjashtëminutëshe të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trumpi i nderoi tre ushtarët e vrarë si “patriotë të vërtetë amerikanë, të cilët bënë sakrificën më të lartë për vendin tonë, ndërsa ne vazhdojmë misionin e drejtë për të cilin ata dhanë jetën.”

Ai shtoi: “Fatkeqësisht, ka shumë të ngjarë që të ketë edhe më tepër të vrarë, para se gjithçka të përfundojë. Kështu janë gjërat. Me gjasë do të ketë edhe më shumë.”/DW

© SYRI.net