Trump pezullon programin e Lotarisë së Kartës së Gjelbër

Presidenti Donald Trump pezulloi të enjten programin e Lotarisë së Vizave të Diversitetit (Lotaria e Kartës së Gjelbër), përmes të cilit i dyshuari për të shtënat në Universitetin Brown dhe në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT) kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, njoftoi në platformën X se, me urdhër të presidentit Trump, ajo ka udhëzuar Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) që të pezullojnë programin.

“Ky individ i neveritshëm nuk duhej të lejohej kurrë të hynte në vendin tonë,” shkroi Noem, duke iu referuar të dyshuarit, shtetasit portugez Claudio Neves Valente.

Neves Valente, 48 vjeç, dyshohet për një sulm me armë zjarri në Universitetin Brown, ku u vranë dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, si dhe për vrasjen e një profesori të MIT-it. Ai u gjet i vdekur të enjten në mbrëmje, me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit, të cilën autoritetet e cilësuan si vetëvrasje.

Sipas një deklarate nën betim të një detektivi të policisë së Providence, Neves Valente kishte studiuar në Brown që nga viti 2000 me vizë studentore. Në vitin 2017, atij iu dha një vizë emigrimi përmes programit të diversitetit dhe disa muaj më vonë fitoi statusin e qëndrimit të përhershëm ligjor. Nuk është e qartë se ku ka qëndruar ai në periudhën midis marrjes së një lejeje mungese nga universiteti në vitin 2001 dhe marrjes së vizës në vitin 2017.

Programi i Vizave të Diversitetit u jep çdo vit deri në 50 mijë karta jeshile përmes një llotarie shtetasve të vendeve që janë pak të përfaqësuara në emigracionin drejt SHBA-së, kryesisht nga Afrika. Programi është krijuar nga Kongresi dhe pezullimi i tij pritet të përballet me sfida ligjore.

Për lotarinë e vizave të vitit 2025 aplikuan gati 20 milionë persona, ndërsa mbi 131 mijë u përzgjodhën, përfshirë edhe bashkëshortët e fituesve. Pas përzgjedhjes, aplikantët i nënshtrohen verifikimeve të sigurisë dhe intervistave konsullore. Shtetasit portugezë fituan vetëm 38 vende.

Fituesit e lotarisë ftohen të aplikojnë për kartë jeshile dhe trajtohen sipas të njëjtave kritere dhe procedura verifikimi si aplikantët e tjerë për qëndrim të përhershëm.

Presidenti Trump ka kundërshtuar prej kohësh Lotarinë e Vizave të Diversitetit. Vendimi i shpallur nga Noem konsiderohet shembulli më i fundit i përdorimit të një tragjedie për të avancuar politikat kufizuese të imigracionit. Më herët, pas një sulmi fatal ku u përfshinë anëtarë të Gardës Kombëtare dhe ku i dyshuari ishte shtetas afgan, administrata Trump vendosi masa të gjera kufizuese ndaj emigracionit nga Afganistani dhe rajone të tjera, shkruan AP.

Në kuadër të politikës së deportimeve masive, Trump ka kërkuar të kufizojë ose të eliminojë edhe rrugët e imigracionit të ligjshëm, përfshirë programe të sanksionuara me ligj, si Lotaria e Vizave të Diversitetit, dhe të drejta kushtetuese, si shtetësia me të drejtë lindjeje. Kohët e fundit, Gjykata e Lartë pranoi të shqyrtojë kundërshtimin e tij ndaj shtetësisë me të drejtë lindjeje./ AP

© SYRI.net