Forcat amerikane kryen sulme ajrore në Siri ndaj dhjetëra objektivave të lidhura me ISIS-in, si përgjigje ndaj sulmit të fundit ku u vranë ushtarë amerikanë.
Presidenti amerikan, Donald Trump bëri të ditur se mbështeti personalisht operacionin, duke e cilësuar atë si “një hakmarrje shumë serioze”.
Ai deklaroi se vrasja e egër e ushtarëve amerikanë nga ISIS-i në Siri ka sjellë një përgjigje të fuqishme nga SHBA, duke theksuar se sulmet synojnë fortesat e ISIS në një vend që ka vuajtur shumë, por që mund të ketë një të ardhme të ndritur pas zhdukjes së grupit terrorist.
Trump shtoi se qeveria siriane, e udhëhequr nga një lider që punon për rikthimin e madhështisë së vendit, e mbështet këtë aksion.
Presidenti paralajmëroi gjithashtu se “të gjithë terroristët që kërcënojnë amerikanët duhet të dinë se do të goditen më fuqishëm se kurrë më parë”.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara publikoi pamje nga “Hawkeye Strike”, një operacion i madh amerikano–jordanez që goditi më shumë se 70 objektiva të ISIS-it në pjesën veriore dhe qendrore të Sirisë.
Kujtojmë se në një sulm në qytetin e Palmyras humbën jetën dy ushtarë amerikanë nga “Iowa National Guard” dhe një përkthyes civil amerikan.
Ndryshe, të enjten Trump nënshkroi një ligj që shfuqizon paketën e fundit të sanksioneve të rënda ekonomike ndaj Sirisë, të vendosura për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë luftës civile.
Pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, mbështetësit e tij kanë shtuar përpjekjet për heqjen e këtyre sanksioneve.




