Trump paralajmëron reduktim të madh të stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se SHBA do të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke përmendur marrëdhënien e tij “shumë të mirë” me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Trump i ka cilësuar stërvitjet si të kushtueshme dhe ka thënë se ato dërgojnë një “sinjal të papërshtatshëm dhe armiqësor”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Komentet e tij vijnë ndërsa SHBA dhe Koreja e Jugut pritet të nisin stërvitjet e tyre vjetore ushtarake, të cilat Seuli kishte thënë se do të zhvilloheshin sipas planit.

Koreja e Jugut ka bërë të ditur se po i shqyrton deklaratat e Trumpit, duke shpresuar se marrëdhëniet e mira mes Uashingtonit dhe Phenianit mund të çojnë drejt bisedimeve konkrete.

Ndërkohë, Koreja e Veriut nuk ka komentuar ende deklaratat e presidentit amerikan.

Më herët gjatë këtij muaji, Pheniani kreu edhe teste me raketa balistike, të ndaluara nga Kombet e Bashkuara.