Trump paralajmëron goditje të reja ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar rritje të presionit ekonomik ndaj Iranit, ndërsa administrata e tij po përgatit masa të reja ndëshkuese ndaj Teheranit.

Administrata Trump ka sanksionuar më shumë se 1,000 individë, anije dhe avionë që nga fillimi i mandatit të dytë, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Masat kanë prekur veçanërisht flotën e naftës iraniane, kompanitë e transportit detar, rrjetet e financimit dhe subjekte të lidhura me sigurimin e armëve.

Një prej objektivave të mundshëm të ShBA-së janë rafineritë e vogla kineze, të njohura si “teapots”, të cilat blejnë një pjesë të madhe të naftës iraniane.

Sipas Kpler, Kina blen më shumë se 80 për qind të naftës iraniane të transportuar me anije.

Washingtoni mund të shqyrtojë gjithashtu sanksione ndaj bankave kineze që ndihmojnë në transferimin e fondeve iraniane.

Presioni mund të zgjerohet edhe ndaj kompanive të transportit, blerësve të naftës dhe rrjeteve që ndihmojnë Iranin të anashkalojë sanksionet.

Ndërkohë, disa zyrtarë kanë hedhur edhe idenë e një bllokade tokësore ndaj Iranit, por ekspertët paralajmërojnë për pasoja të rënda humanitare dhe dyshojnë në efektivitetin e saj.

Për momentin, mbetet e paqartë se cilat masa do të zbatohen, por deklaratat e Trumpit dhe Bessent sinjalizojnë një fazë të re dhe më agresive të presionit amerikan ndaj Teheranit.