Trump niset drejt Nju Jorkut për të dalë para gjykatës

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është nisur nga shtëpia e tij në Florida drejt Nju Jorkut, ku do t’i lexohen akuzat penale.

Republikani 76-vjeçar, njëherësh presidenti i parë në historinë amerikane që ngarkohet penalisht, do të akuzohet zyrtarisht të martën për pagesën që ia ka bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes, pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Në pamjet televizive është parë Trumpi duke u larguar nga shtëpia e tij në Mar-a-lago të Floridas, për në qytetin ku e ka ndërtuar emrin e tij, me synimet që të shfrytëzojë paraqitjen publike për të rritur mbështetjen për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA.

“Departamenti i korruptuar nuk ka rast”, ka thënë Trump në rrjetin e tij social, Truth Social, duke iu referuar gjykatës në Manhatan që po merret me rastin e tij.

Policia në Nju Jork është përgatitur në nivelin më të lartë për arritjen e Trumpit.

Agjentët e Shërbimit Sekret janë angazhuar jashtë Kullës Trump – ku do të qëndrojë sonte ai – dhe jashtë gjykatës, ku do të paraqitet në pasditen e së martës.

Kryetari i Nju Jorkut, Eric Adams, ka paralajmëruar që secili person që proteston dhunshëm, do të “arrestohet dhe do ta mbahet përgjegjës, pavarësisht kush jeni”.

“Ndonëse mund të ketë njerëz që mendojnë të vijnë në qytet për të ngacmuar, mesazhi është i qartë dhe i thjeshtë: ‘kontrollojeni veten’”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Në kuadër të paraqitjes së tij në gjykatë, Trump do t’iu nënshtrohet procedurave të rregullta ndaj një të pandehuri, që përfshin fotografimin dhe dhënien e shenjave të gishtërinjve.