Trump konfirmon sulmet amerikane ndaj Iranit

Izraeli së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një fushatë ajrore ndaj Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se SHBA-ja ka nisur “operacione të mëdha luftarake” ndaj Iranit në një video tetëminutëshe në Truth Social.

Ai tha se “aktivitetet kërcënuese” të Teheranit rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën.

“Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm”, tha lideri amerikan.

“Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjaku”, pohoi 79-vjeçari.

Ai i referohet krizës së ambasadës amerikane nga vitet 1979 dhe 1981, ku 66 pengje u mbajtën për 444 ditë.

“Ka qenë terror masiv, dhe ne nuk do ta pranojmë më”, shton ai, përpara se të pretendonte se Irani kishte tentuar të rindërtonte programin e tij bërthamor dhe po zhvillonte raketa me rreze të gjatë.

Trump më pas thotë se “ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre” dhe “do të shkatërrojmë flotën e tyre”, dhe shton se ndërsa janë marrë masa për të shmangur viktimat, “amerikanë mund të humbasin”.

Ai i thotë Gardës Revolucionare Islamike të “hedhin armët” ose të “përballen me vdekje të sigurt”.

Duke iu drejtuar popullit të Iranit, Trump thotë se “ora e lirisë tuaj po afron” dhe i paralajmëron se “bombat do të bien kudo”.

“Kur të përfundojmë, merrni qeverinë tuaj, ajo do t’ju takojë juve,” shton ai.

Ndryshe, Shërbimet izraelite të inteligjencës dhe ato ushtarake vlerësojnë se në një afat shumë të shkurtër pritet një kundërsulm masiv ndaj Izraelit, i cili mund të përfshijë tufa dronësh dhe raketa balistike.

Nëpër qytetet izraelite tashmë dëgjohen sirenat që paralajmërojnë rrezik nga ajri.