Trump kërkon veprim të shpejtë për bisedimet e paqes në Gaza

PALM BEACH, FLORIDA - AUGUST 08: Republican presidential candidate former President Donald Trump speaks during a press conference at Mr. Trump's Mar-a-Lago estate on August 08, 2024, in Palm Beach, Florida. Polls currently show a close race between Trump and Democratic presidential candidate, U.S. Vice President Kamala Harris. (Photo by Joe Raedle/Getty Images)

Presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje të gjithë palëve që po përpiqen të ndalin luftën në Gaza të “veprojnë shpejt”, ndërsa të hënën nisin bisedimet indirekte të paqes mes Hamasit dhe Izraelit në Egjipt.

Bisedimet vijnë pasi Hamas pranoi disa pika të një plani 20-pikësh të propozuar nga SHBA-ja, që përfshin lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e qeverisjes së Gazës tek ekspertë palestinezë, transmeton klankosova.tv.

Megjithatë, grupi kërkon të negociojë për çështje të tjera, ndërsa nuk përmendi dorëzimin e armëve apo largimin nga qeverisja e ardhshme.

Trump tha në rrjetet sociale se bisedimet janë “shumë të suksesshme” dhe shtoi: “Faza e parë duhet të përfundojë këtë javë. Koha është thelbësore përndryshe do të ketë gjakderdhje masive.” Ai po ashtu u shpreh se pret që pengjet të fillojnë të lirohen “shumë shpejt”.

Ndërkohë, sulmet ajrore izraelite në Gaza vazhdojnë, pavarësisht kërkesës së Trump që Izraeli të ndalojë bombardimet menjëherë. Zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, tha se nuk ka ende armëpushim dhe se forcat izraelite do të përgjigjen nëse kërcënohen.

Raportet nga Gaza njoftojnë për vazhdim të sulmeve gjatë natës dhe shkatërrim të ndërtesave banimi në qytetin e Gazës. Ministria e shëndetësisë e Hamasit njoftoi se 65 persona janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se bombardimet duhet të ndalen që të mund të lirohen pengjet. Plani amerikan propozon një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e 48 pengjeve në këmbim të qindra të arrestuarve palestinezë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pret të njoftojë lirimin e pengjeve në ditët në vijim. Ai gjithashtu dha urdhër për dërgimin e delegacionit izraelit në bisedimet e rëndësishme në Kajro.

Sipas cnn, delegacioni i Hamasit, i udhëhequr nga negociatori kryesor Khalil al-Hayya, pritet të arrijë në Kajro në mbrëmjen e së dielës. Në bisedime do të marrin pjesë edhe i dërguari special amerikan Steve Witkoff, dhëndri i Trump Jared Kushner dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Këto bisedime konsiderohen vendimtare dhe mund të hapin rrugën për ndalimin e konfliktit, pavarësisht mungesës së besimit dhe tensioneve politike.