Trump kërkon ndryshim të regjimit në Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se një ndryshim regjimi në Iran mund të jetë “gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, duke kritikuar dialogun e gjatë që sipas tij ka sjellë humbje jete.

“Për 47 vjet ata flasin dhe flasin, ndërkohë ne kemi humbur shumë jetë ndërsa ata flasin”, tha ai gjatë një interviste.

Në pyetjen e gazetarëve për gjendjen e objekteve bërthamore iraniane, lideri amerikan u shpreh “ju mund të merrni gjithçka që është pluhur atje poshtë. Nëse veprojmë, kjo është më e pakta që mund të bëjmë. Por me siguri do të marrim gjithçka që ka mbetur”.

Duke folur për aktivitetin bërthamor të Iranit, 79-vjeçari shtoi se “ne nuk duam asnjë pasurim [uraniumi]”.

Kur u pyet se çfarë mund të bëjë Irani për të shmangur një sulm, Trump tha se “duhet të na japin marrëveshjen që duhej të na jepnin herën e parë. Nëse na japin marrëveshjen e duhur, ne nuk do ta bëjmë atë. Ata duan të flasin, por deri tani flasin shumë dhe nuk veprojnë”.

Ndryshe, SHBA-ja tashmë ka dërguar një aeroplanmbajtëse luftarake në Lindjen e Mesme.