“Irani po flet me ne dhe po e bën në mënyrë serioze. Shpresoj të negociojmë mbi diçka që është e pranueshme.” Kështu u shpreh Donald Trump, duke refuzuar të thotë nëse ka vendosur apo jo se si do të veprojë më tej ndaj Iranit.
Më tej, Trump njoftoi se “negociatat për Groenlandën kanë nisur”, ndërsa për Kubën tha se “kemi një situatë shumë të keqe”.
“Kuba – shtoi ai – me shumë gjasë do të vijë tek ne dhe do të bëjë një marrëveshje”.
Presidenti amerikan ishte nisur drejt Floridës dhe u ndal për të folur me gazetarët që e shoqëronin.
Sipas Trump, “marrëdhëniet me udhëheqjen e Venezuelës po shkojnë mirë. Udhëheqja po bën një punë të mirë”.
Mjaft i ashpër ishte edhe komenti i tij për arrestimin e gazetarit Don Lemon, i cili u arrestua të premten e kaluar me akuzën federale për shkelje të të drejtave civile, lidhur me mbulimin e një proteste kundër zbatimit të ligjeve të emigracionit, e cila ndërpreu një shërbesë fetare në një kishë në shtetin e Minesotës.
“Ai është një maskara dhe kjo ndoshta është gjëja më e mirë që i ka ndodhur”, tha Trump për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, shkruan ANSA.
© SYRI.net



