Trump hap derën për prodhimin e raketave amerikane në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për herë të parë sinjale pozitive për mundësinë e prodhimit të raketave amerikane në Ukrainë nëpërmjet licencave të posaçme.

Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me presidentin e Hondurasit, Nasry Asfura, ku Zelensky foli për rezultatet e bisedimeve të fundit me presidentin amerikan Donald Trump.

Sipas liderit ukrainas, forcimi i mbrojtjes ajrore mbetet prioriteti kryesor i Kievit përballë agresionit rus, ndërsa vendet e G7-ës kanë shprehur mbështetje për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës.

“Për forcimin e mbrojtjes ajrore kam marrë një sinjal pozitiv nga i gjithë G7, përfshirë edhe presidentin Trump. Për herë të parë pala amerikane po e sheh pozitivisht çështjen e licencave për prodhimin e raketave tona”, deklaroi Zelensky.

Komentet e tij vijnë vetëm pak ditë pasi Trump konfirmoi se Washingtoni do të shqyrtojë kërkesën e Kievit për të prodhuar raketa amerikane në territorin ukrainas.

Sipas presidentit amerikan, Ukraina e ka paraqitur zyrtarisht këtë kërkesë si pjesë të përpjekjeve për të rritur aftësitë e saj ushtarake dhe për të garantuar furnizim më të qëndrueshëm me armë në kushtet e luftës me Rusinë.

Nëse realizohet, një marrëveshje e tillë do të përbënte një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ushtarak mes Washington-it dhe Kievit, pasi do t’i lejonte Ukrainës jo vetëm të marrë armë nga aleatët, por edhe t’i prodhojë ato brenda vendit.

Zhvillimi vjen në një moment kur aleatët perëndimorë po kërkojnë mënyra të reja për të forcuar industrinë mbrojtëse ukrainase dhe për të reduktuar varësinë nga furnizimet e jashtme.

Paralelisht, liderët e vendeve të G7-ës kanë rënë dakord të shtojnë presionin ekonomik ndaj Rusisë përmes sanksioneve të reja që synojnë sektorin energjetik, veçanërisht eksportet e naftës dhe gazit, burimet kryesore të financimit të luftës së Moskës.

Një vendim përfundimtar mbi licencat e prodhimit nuk është marrë ende, por deklaratat e Zelenskyt sugjerojnë se administrata Trump po shqyrton për herë të parë seriozisht një kërkesë që deri më tani nuk kishte marrë mbështetje publike nga Washingtoni.