Trump: Do të mbroj Poloninë dhe shtetet baltike nëse rusët vazhdojnë të përshkallëzojnë situatën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka premtuar se do të mbrojë Poloninë dhe shtetet baltike nëse Rusia vazhdon përshkallëzimin e situatës në rajon, raporton Anadolu.

“Po, do ta bëja”, tha Trump kur u pyet nëse do të ndihmonte në mbrojtjen e Polonisë dhe shteteve baltike kundër Rusisë nëse Moska do të vazhdonte përshkallëzimin e saj. Kjo ndodhi përpara se Trump të shkonte në një shërbim përkujtimor për aktivistin konservator të vrarë Charlie Kirk në Glendale, Arizona.

Tre MiG hynë në hapësirën ajrore të Estonisë
Deklarata e Trump pasoi shkeljen e hapësirës ajrore të Baltikut nga Rusia këtë javë. Të premten, tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës pa leje për 12 minuta.

Estonia thirri të ngarkuarin me punë rus lidhur me incidentin dhe kërkoi konsultime sipas Nenit 4 të NATO-s, megjithëse Rusia mohoi të kishte hyrë në hapësirën ajrore estoneze. I pyetur nëse ishte informuar për shkeljet ruse të hapësirës ajrore estoneze, Trump tha: “Po, nuk na pëlqen.”

Polonia tha se dy avionë luftarakë rusë shkelën zonën e sigurisë rreth platformës së naftës Petrobaltic në Detin Baltik në të njëjtën ditë. Përveç kësaj, 19 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake javën e kaluar.