Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj aleatëve të NATO-s, duke i quajtur “frikacakë” për shkak se nuk iu bashkuan luftës së tij kundër Iranit. Në të njëjtën kohë, ai ka urdhëruar dërgimin e një kontingjenti tjetër marinsash drejt Gjirit Persik, duke sinjalizuar se është i gatshëm të veprojë i vetëm.
Në një artikull të saj, la Repubblica, shkruan se ky zhvillim rrit mundësinë e një ndërhyrjeje tokësore, me objektiva të mundshëm si pushtimi i terminalit të naftës në ishullin Kharg, kontrolli i vijës bregdetare prej nga Irani bllokon kalimin në Ngushticën e Hormuzit, apo edhe një operacion për sekuestrimin e mbi 400 kilogramëve uranium të pasuruar që ndodhen ende në duart e regjimit iranian.
Megjithatë, në mbrëmje Trump dukej se zbuti disi retorikën, duke deklaruar se “po arrijmë objektivat” dhe se mund të reduktojë përpjekjen ushtarake.
Të enjten, ai u shpreh se nuk ka nevojë për askënd, por refuzimi i vendeve europiane për t’iu bashkuar operacionit ushtarak nuk është pritur mirë nga Uashingtoni.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump shkroi se pa SHBA-të, NATO është “një tigër prej letre”.
“S’kanë dashur të bashkohen në luftën për të ndalur një Iran me fuqi bërthamore. Tani që lufta është fituar ushtarakisht, me pak rrezik për ta, ankohen për çmimet e larta të naftës, por nuk duan të ndihmojnë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Është një operacion i thjeshtë ushtarak. Frikacakë, do ta mbajmë mend!”, shkroi ai.
Ndërkohë, aleatët po përpiqen të veprojnë përmes OKB-së për të krijuar një kuadër ligjor që do të mundësonte rihapjen e Hormuzit. Por kjo do të kërkonte një armëpushim, pasi vendet europiane nuk janë të gatshme të dërgojnë anije në një zonë ku vazhdojnë luftimet.
Në të kundërt, SHBA-të po forcojnë praninë ushtarake. Një grup detar i marinsave është tashmë në lëvizje drejt rajonit, ndërsa është shtuar edhe njësia e 11-të e Ekspeditës së Marinsave, me bazë në Kaliforni, me rreth 2 mijë e 500 trupa.
Sipas mediave amerikane, kjo forcë mund të ketë si objektiv kryesor marrjen e kontrollit të ishullit Kharg dhe zonave bregdetare përballë Ngushticës së Hormuzit, ku Pentagoni vlerëson se bllokada mund të zgjasë deri në gjashtë muaj. Raportohet gjithashtu se po përgatitet një dislokim edhe më i gjerë, përfshirë parashutistët e Divizionit të 82-të Ajror.
Trump ka deklaruar se nuk planifikon të dërgojë trupa tokësore, por ka shtuar se nëse do ta bënte këtë, nuk do ta paralajmëronte paraprakisht. Në një intervistë për televizionin amerikan, ai theksoi se “ndryshimi i regjimit nuk është prioritet”, por mund të ndodhë si pasojë e operacioneve, ndërsa objektivi kryesor mbetet neutralizimi i programit bërthamor të Iranit.
Sipas një sondazhi të Reuters, 65% e amerikanëve presin një ndërhyrje tokësore, por vetëm 7% e mbështesin atë, çka përbën një rrezik serioz politik për presidentin në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se nuk dëshiron armëpushim: “Nuk bëhet kur po shkatërron kundërshtarin. Lufta është fituar ushtarakisht. Ata vazhdojnë të bllokojnë Hormuzin, por në një moment do të hapet.”
Sa i përket ishullit Kharg, ai u shpreh: “Mund të kem një plan, por nuk do ta tregoj.” Këto tensione rrezikojnë të ndikojnë edhe marrëdhëniet me NATO-n.




