Kryeministri kanadez Justin Trudeau, përmendi fillimisht termin gjenocid në Ukrainë, pasi presidenti amerikan Joe Biden, e bëri këtë, ndërsa liderët francezë dhe gjermanë nuk janë ende të prirur ta quajnë me këtë emër.
“Ne mund të flasim gjithnjë e më shumë për gjenocidin”, tha Trudeau në Quebec, kur u pyet për të komentuar deklaratat e presidentit amerikan, raportoi AFP.
Kreu kanadez, i cili deri më tani ka refuzuar të karakterizojë agresionin e Rusisë në Ukrainë në këtë mënyrë, tha se ai po shihte “një dëshirë për të sulmuar civilët dhe për të përdorur dhunën seksuale si armë”.
“Kjo është krejtësisht e papranueshme”, theksoi ai.
Trudeau kujtoi se hetuesit kanadezë ishin dërguar në Ukrainë dhe se Kanadaja ishte “një nga vendet e para” që filloi procedurat para Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) për të siguruar që (presidenti rus Vladimir) Putin të vihej përgjegjës për veprimet e tij, luftën e tij”, transmeton HINA.
Presidenti i SHBA’ve Biden, të martën e akuzoi presidentin rus Putin për kryerjen e gjenocidit në Ukrainë. Deri më tani, vetëm presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e ka përdorur këtë fjalë.
Zelenski mirëpriti “fjalët e vërteta, të një lideri të vërtetë”, sepse “quajtja e gjërave me emrat e tyre të vërtetë, është çelësi për të kundërshtuar të keqen”.
Kremlini tha të mërkurën se ishte “e papranueshme” që presidenti amerikan të përdorte fjalë të tilla, për presidentin rus.
“Përshkallëzimi i fjalëve”
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, nuk e përdorën termin “gjenocid” të mërkurën.
Macron pyeti për përfitimet nga “përshkallëzimi i fjalëve” për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se nevojitet të “mbetemi të kujdesshëm” në lidhje me përdorimin fjalëve.
“Do të thosha se Rusia ka nisur në mënyrë të njëanshme një luftë brutale, dhe se është vërtetuar se krimet e luftës janë kryer nga ushtria ruse si dhe se tani duhet të gjejmë përgjegjësit”, tha lideri francez për France 2.
“Ajo që po ndodh është çmenduri, është tepër brutale,” tha ai, duke shtuar se në të njëjtën kohë ai po përpiqej të ndalonte luftën dhe të rivendoste paqen, kështu që “nuk jam i sigurt se përshkallëzimi i fjalëve, po shkon drejt këtij qëllimi”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka një pikëpamje të ngjashme, duke u kënaqur me termin “krime lufte”.
Zelenski tha se refuzimi i presidentit Macron për të dënuar “gjenocidin” në Ukrainë ishte “i dhimbshëm”.
“Nëse janë të vërteta, komente të tilla janë shumë të dhimbshme për ne,” tha presidenti ukrainas gjatë një konference të përbashkët shtypi me kolegët polakë, lituanianë, estonezë dhe letonezë që vizituan Kievin.
“Do të bëj çmos që të flas me Macron për këtë sot. Nëse jo, atëherë nesër kur të gjejë kohën”, tha Zelenski.




