Tri palë zgjedhje brenda një viti

Legjislatura e nëntë është shpërndarë të enjten nga presidentja Vjosa Osmani, pasi për shtatë muaj mandat nuk ka arritur të zgjedhë Qeverinë e re, në dy tentime. Pas konsultimeve me liderë të partive politike, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, me gjithë që në partitë deri tash në opozitë shprehën kërkesë që ato të mbahen 21 dhjetor. Pro 28 dhjetorit u shprehën në Lëvizjen Vetëvendosje, në Listën Guxo dhe në Alternativa.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit si dhe zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërsa sipas raporteve të KQZ-së, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë euro.

E për zgjedhjet lokale që u zhvilluan në rundin e parë në 38 komuna, e në të dytin në 18 sosh, ishte planifikuar buxhet prej 10.5 milionë eurosh. Por se sa u shpenzuan, sipas KQZ-së, do të dihet pas përmbylljes së tërë procesit.

Një ditë pasi që presidentja e ka caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot, do të mbajë mbledhjen e radhës ku në rend dite është shpallja e rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale si dhe certifikimi i rezultateve për asamble komunale të zgjedhjeve të mbajtura më 12 tetor.

Në zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë siguruar udhëheqjen e nga shtatë komunave.

Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në raundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. Ndërsa nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.
Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti.

Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë.

Lista Serbe pati fituar 9 komuna në raundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.

Ramiz Lladrovci veçse pati fituar në Drenas, sikurse edhe Nisma në Malishevë.

Në Mamushë në balotazh ka fituar KDTP-ja.

Ndërkohë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt Lëvizja Vetëvendosje pati marrë mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta pati dalë Partia Demokratike e Kosovës me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt u pat radhitur koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – pati marrë mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.