Tregu i makinave me energji të re ka kërkesë të fuqishme

Numri i banorëve të komunës Chongqing të Kinës jugperëndimore që blenë automjete me energji të re (NEV) u rrit 18.9 për qind në tremujorin e parë të 2023-shit, duke treguar potencial të madh të kërkesës në qendrën kryesore të industrisë së automobilave, citon “Xinhua” autoritetet lokale.

Automjetet me energji të re janë bërë forca e re lëvizëse për shitjen e automobilave në këtë zonë. Më shumë se 300 lloje NEV nga mbi 40 marka u shfaqën në Ekspozitën Ndërkombëtare të Autove Chongqing të mbajtur nga 9 deri më 18 qershor, duke tërhequr vëmendjen e gjerë të vizitorëve.

“NEV-të janë më tërheqëse se automjetet me benzinë për konsumatorët, pasi ne shohim më shumë vizitorë dhe konsulentë shitjesh në sallat e ekspozitës NEV”,- tha Ma Wenting, një menaxher dyqani për markën NEV “Deepal”.

CFP

Shitjet e NEV-ve në Kinë u rritën me 60.2 për qind në bazë vjetore në 717.000 njësi në maj, sipas Shoqatës së Prodhuesve të Automobilave në Kinë. Pasioni dhe kërkesa në rritje për NEV në Kinë ka sjellë një tendencë të kalimit nga automjetet me benzinë në ato elektrike.

Perspektiva vjetore Globale e Automjeteve Elektrike e publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tregon se Kina ishte tregu kryesor për makinat elektrike në vitin 2022, duke përbërë 60 për qind të shitjeve globale të makinave elektrike. Më shumë se gjysma e të gjitha makinave elektrike në botë janë në Kinë.

Përveç përfitimit të performancës me kosto efektive, konsumatorët kinezë kanë theksuar gjithashtu preferencën e tyre për përvojat inteligjente dhe ndërvepruese të drejtimit. Ndërsa shitjet e NEV-ve rriten, Kina ka prezantuar një sërë politikash për të injektuar vitalitet të vazhdueshëm në treg.

Autoritetet kineze njoftuan më 21 qershor se Kina do të zgjasë politikën e saj të taksave preferenciale të blerjeve për NEV deri në fund të vitit 2027. Masa synon të mbështesë zhvillimin e sektorit NEV dhe të stimulojë konsumin e makinave. Vlerësimet paraprake tregojnë se kjo masë do të rezultojë në përjashtime dhe reduktime tatimore që arrijnë në rreth 520 miliardë juanë. (Elona)

CFP