Me 7 milionë denarë Komuna e Kumanovës ka vendosur ta ndihmojë Ndërmarrjen Publike “Tregu i Gjelbër”, për ta shpëtuar nga kolapsi.
Borxhi arrin vlerën e 17.066.477 denarë. Drejtori i ri Gëzim Kadriu, kuadër i ASH-së theksoi se kompania është nën kërcënimin e përmbaruesve dhe bllokimin e llogarisë bankare.
Kjo ndërmarrje po përballet edhe me padi gjyqësore për shkak mos pagesës së regresit të punëtorëve.
“Punëtorët e ndërmarrjes se Tregut vetëm disa kanë bërë padi për pushimin vjetor me regres, i cili nuk është paguar prej vitit 2018. Në qoftë se ne arrimë të bëjmë një marrëveshje jashtëgjyqësore me punëtorët e ndërmarrjes tonë borxhi do të ishte rritur edhe me 5 milion denarë, kurse nëse nuk arrijmë të dakordohemi ne si ndërmarrje dhe punëtorët atëherë mund të konstatoj se borxhi do të shkoj edhe më shumë, në vlerën 9 milionë duke i pasur harxhimet gjyqësore dhe taksat tjera”.
Drejtori paraprak nga radhët e BDI-së, Ilir Saiti për TV21 sqaroi se kjo ndërmarrje ka trashëguar borxhe, ndërsa gjatë udhëheqjes së tij nuk ka pasur asnjë ndihmë nga ana e Komunës.
“Asnjëherë NP Tregu nuk është ndihmuar nga Komuna e Kumanovës edhe pse kemi kërkuar ndihmë, kryetari nuk është përgjigjur. Për kryetarin kjo ndërmarrje as që ka ekzistuar dhe ne kemi funksionuar me forcat tona”, tha Saiti.
Ndryshe kryetari Maksim Dimitrievski në seancën e dytë të këshillit komunal u shpreh se me kërkesë të drejtorit, komuna ka ndarë 3.5 milion denarë për t’i shlyer borxhet./TV21