Tregtonte ilaçe kontrabandë, arrestohet 35-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar kanë finalizuar operacionin “Medikamentet”.

Sipas njoftimit të policisë mësohet se një 35-vjeçar është vendosur në pranga për kontrabandë të ilaçeve. Personi rezulton të jetë dhe administratori i farmacisë.

Nga ana tjetër mësohet se është marrë në hetim dhe shitësja e cila është punësuar në mënyrë të paligjshme.

Uniformat kanë sekuestrohen medikamente me vlerë në 35 mijë euro.

Mësohet se emri i 35-vjeçarit është Albi Hadroviq.

“Tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara, vihet në pranga 35-vjeçari, administratori i farmacisë. Procedohet penalisht shitësja, e punësuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medikamentet”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. H., 35 vjeç, dhe nisi procedimi penal për shtetasen A. M., 33 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në farmacinë që administronte shtetasi A. H., në bulevardin “Zogu i Parë” shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë. /euronewsalbania/