Tregtarët: Vërejtjet tona nuk janë implementuar në projektligjin për duhanpirjen

Tregtarët me pakicë po reagojnë se propozuesit e ligjit për mbrojtjen nga duhani nuk i kanë zbatuar argumentet e tyre në versionin draft që së shpejti duhet të jetë para Qeverisë. Ata thonë se pavarësisht pretendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë se, si propozuese e ligjit, është konsultuar me të gjitha palët e interesuara dhe ka marrë parasysh kërkesat e tyre, nuk ka ndryshime në dispozitat kryesore në versionin e ndryshuar të ligjit, transmeton Portalb.mk.

Ata theksojnë se sipas dispozitave të projektligjit, shitësit me pakicë kanë  afat prej gjashtë muajsh për të përshtatur objektet e tyre në përputhje me detyrimet e reja – produktet e duhanit nuk duhet të jenë të dukshme për blerësit, gjegjësisht, ato duhet të ruhen në dollapë të mbyllur dhe të errët, si dhe të kufizojnë etiketimin e këtyre produkteve në objekte.

“Këto masa ndikojnë drejtpërdrejt te shitësit e vegjël me pakicë të cilët vitet e fundit kanë investuar në rregullimin e pikave të shitjes, pajisjeve dhe markës në përputhje me rregulloret e zbatueshme në atë kohë. Me rregullat e reja, këto investime praktikisht humbasin funksionin e tyre dhe kërkojnë investime të reja, gjë që krijon presion serioz financiar mbi bizneset që tashmë operojnë me burime të kufizuara”, thonë shitësit me pakicë.

Ata theksojnë se sipas të dhënave nga komuniteti i biznesit, në të gjithë vendin ekzistojnë më shumë se 4,000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, më shpesh biznese familjare, qëndrueshmëria ekonomike e të cilave varet drejtpërdrejt nga shitja e duhanit dhe produkteve të lidhura me të. Për shumë prej tyre, shtojnë ata, këto produkte janë një burim kryesor i të ardhurave, veçanërisht si rezultat i kontratave afatgjata me furnizuesit.

“Në rrethana të tilla, lokalet e vogla të shitjes me pakicë përballen me pasiguri serioze. Në vend që të përshtatet zgjidhja ligjore bazuar në reagimet nga terreni, ndryshimet e propozuara nuk sjellin ndryshime thelbësore, duke lënë mijëra biznese familjare në rrezik mbylljeje dhe humbjeje të jetesës”, shtuan tregtarët e vegjël.

Sipas njoftimeve, projektligji për mbrojtjen nga duhani do të paraqitet në seancë qeveritare të martën.

Projektligji për mbrojtjen nga duhani në Maqedoninë e Veriut synon të reduktojë ndjeshëm ndikimin e pirjes së duhanit mbi shëndetin publik, duke vendosur zona të veçanta për duhanpirësit dhe duke mbrojtur qytetarët që nuk pinë duhan. Sipas të dhënave të fundit, 13.6% e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën konsumojnë duhan, çka tregon rëndësinë e masave parandaluese në nivel kombëtar. Ligji fillimisht u shty për shkak të shqetësimeve të hotelierëve dhe tregtarëve të vegjël, të cilët paralajmëruan se do të përballen me shpenzime shtesë dhe mund të humbasin vende pune nëse nuk përshtaten me rregullat e reja, duke prekur mbi 4.000 biznese të vogla dhe të mesme.  Ligji pritet të paraqitet në seancë qeveritare më 24 mars dhe më pas të përpunohet në Parlament, duke shpresuar për një ulje të numrit të duhanpirësve nën 20% brenda dy viteve.