Tregtarë që përpiqen të shpëtojnë sa të munden nga malli i tyre dhe zjarrfikës që luftojnë me flakët, këto janë pamjet që vijnë nga tregu i Plazhit në Durrës.
Zjarri ka shkrumbuar një pjesë të madhe të bizneseve që operonin në këtë zonë, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë ende punën për neutralizimin e flakëve.
Kujtojmë që zjarri i përmasave të mëdha shpërtheu në orët e pasdites të kësaj të diele në zonën e Plazhit, pranë tregut lokal.
Policia ka evakuuar banorët nga pallatet dhe hotelet përreth, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe rrezikut që paraqiste situata.
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Durrësit janë angazhuar edhe zjarrfikësit nga Kamza, për të përballuar më lehtë vatrën e zjarrit dhe për të shmangur përhapjen në zona të tjera.