Tre terroristëve të Banjskës iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit prej 2 muajsh për tre terroristët e Banjskës.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se paraburgimi iu është zgjatur nga dy muaj secilit nga të pandehurit.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, tha Gashi, njofton Klankosova.tv.

Ditë më parë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se INTERPOL-i ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj të gjithë terroristëve të Banjskës.