Tre të vdekur nga tornadoja e fuqishme në Çeki dhe qindra të lënduar

Një tornado e rrallë në juglindje të Çekisë të enjten ka lënë të vdekur të paktën tre persona dhe qindra të tjerë të lënduar, kanë thënë ekipet e shpëtimit të premten.

Tornado u formua me stuhi të forta që goditën të gjithë vendin. Shtatë qytete dhe fshatra janë dëmtuar rëndë, me ndërtesa të tëra të shndërruara në gërmadha dhe makina të përmbysura. Mbi 120,000 familje ishin pa energji elektrike.

Rreth 360 policë shtesë janë dërguar në ato zona, bashkë me ushtrinë. Ekipeve u janë ardhur në ndihmë edhe forca të tjera shtesë nga Austria dhe Sllovakia.

Ata kanë përdorur dronë dhe helikopterë për të kërkuar mes rrënojave, raporton AP.

“Është tragjedi e madhe”, ka thënë kryeministri Andrej Babis.

Nënkryetari i bashkisë së Hruskyt, Marek Babisz, ka thënë mediave çeke se gjysma e qytetit të tij është shkatërruar pothuajse krejtësisht.