Tre raste kur PD udhëhiqet nga hallet e Berishës dhe jo shanset e saj

Nga Mero Baze

Rasti i parë është beteja e SPAK kundër qeverisë, krahasuar me raporti i OSBE/ODIHR. Nëse ndjek 24 orët e fundit reagimet e shumë figurave të PD-së për zhvillimet e fundit, shikon se si shtiren sikur më në favor të tyre është më shumë raporti i OSBE/ODIHR, sesa bilanci i goditjeve që SPAK po i jep qeverisë në vazhdimësi me hetimet e figurave të larta të saj. Dhe i gjithë ky siklet vjen vetëm nga fakti se e kanë të ndaluar të mbështeten tek bilanci i SPAK për shkak të Berishës.

Madje sot Berisha shkoi edhe më tej, duke akuzuar SPAK se e kishte mashtruar përmes qytetarit digjital, që Tom Doshi ishte arratisur se do arrestohej nga SPAK, dhe se kjo ishte bërë që të sfumohej lajmi për hetimet e mundshme rreth Ballukut.

Dhe të gjitha deklaratat e sotme të PD-së bëjnë fjalë për nisje të protestave bazuar tek raporti i OSBE/ODIHR. Raporti i zgjedhjeve është i shkruar e bardhë mbi të zezë, dhe jo vetëm që nuk është ndonjë certifikues i pretendimeve të PD-së, por vetëm përshkrues i pretendimeve të tyre. Më keq akoma, i ka të gjitha rekomandimet kundër asaj që kërkon PD për zgjedhje. Ai është i padobishëm për PD-në në çdo faqe. Më i dobishëm se raporti i OSBE-së, natyrisht që është goditja që po vazhdon të marrë qeveria prej SPAK dita-ditës, por kjo i duket më shumë komplot PD-së sesa PS-së.

Dhe arsyeja është vetëm se është peng i historisë së kryetarit të saj me drejtësinë. Nëse PD nuk do kishte sot kryetar Sali Berishën, por të zëmë njeriun më anonim të saj, por që nuk ka probleme me drejtësinë, së paku nuk do tallej me demokratët duke u thënë se tani kemi shpëtuar nga raporti i OSBE/ODIHR, por do përdorte betejën e SPAK kundër qeverisë.

E njëjta gjë edhe me rezolutën e sotme të Partisë Socialiste lidhur me arrestimet paraprake të urdhëruara prej SPAK në rastet e shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit të zyrtarëve. Ndalimi i kësaj praktike është domosdoshmëri, për të mos e kthyer procesin e hetimit në një proces represiv dhe shkatërrues për dinjitetin njerëzor.

Edhe këtu Partia Demokratike iu referua në mënyrë të gënjeshtërt raportit të OSBE/ODIHR që, sipas tyre, sulmon punën e dobët të SPAK për zgjedhjet. Raporti as e përmend SPAK për punë të dobët dhe as i vlerëson qëndrimet e PD për SPAK si qëndrime të raportit, por konstatime që i referohen PD-së. Por çështja është se PD duhet të thotë gjëra që nuk e vënë në siklet kryetarin dhe jo ato që ndodhin realisht.

Është pak a shumë ashtu siç reagojnë ndaj Florian Binajt si i pavarur i përzgjedhur nga Berisha dhe Besart Xhaferit, kryetarit të Forumit Rinor, deputet i PD-së dhe pjesë e strukturave partiake. Binaj si i pavarur i përzgjedhur nga Berisha nuk sulmohet, pavarësisht se, ca nga mungesa e përvojës politike dhe ca nga këshilltarët e vet, këput mufka kundër PD-së dhe e trajton Berishën si një “lebroz” që duhet t’i rrijë larg. Kurse Xhaferi, që është pjesë e drejtuesve të PD-së dhe deputet, vetëm se tha që Berisha duhet të ikë më 2026, se duhet të respektojë statutin, e masakruan sikur të ishte një diversant i zbritur në oborrin e PD-së dhe nuk e njihnin më parë.

Të dy janë të rinj: njëri ka mbaruar një nga universitetet më të mira në Londër, kurse tjetri vjen nga Portokallia, por pasi kanë kuptuar kush është I kryetarit dhe kush realisht më larg tij, Portokallinë e quajnë Cambridge dhe Besartin e quajnë njeri I ardhur nga rruga në PD.

Mjafton kjo qasje politike e PD-së në këtë moment për të kuptuar se energjitë opozitare këtu janë të destinuara të shpërdorohen për shkak të halleve të Berishës. Vetëm ai ka aftësinë t’i sorollasë njerëzit tek gjëra pa vlerë, siç është referimi fals tek raporti i ODIHR, dhe të shmangë nderin e madh politik që SPAK i ka bërë opozitës duke futur shumicën e qeverisë nën hetim dhe burg, vetëm se drejtësia është dhe një armik i tij.Se me thënë të drejtën më shumë kryetar opozite është Altin Dumani, se sa Sali Berisha. Por ky është dënim I dyfishtë për Berishën ndaj injorohet “kontributi” i tij.