Tre polic të Kosovës kidnapohen në Veri, pranë kufirit

Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, kanë njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe nga kërkuar asistencë dhe drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.

“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, shkroi ai në Facebook.

Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.

Policia tha po ashtu se media të ndryshme serbe kanë raportuar se njëstië speciale serbe “kanë arrestuar zyrtarë të Policisë së Kosovës”.

*Ky lajm do të përditësohet së shpejti