Tre pacientët e dyshuar në Kosovë nuk janë prekur nga koronavirusi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka njoftuar se pas testeve të kryera ndaj tre qytetarëve të dyshuar me koronavirus, rezultatet kanë dal negative.

“Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B”, njofton IKSHPK.

Komunikata e plotë e IKSHPK-së:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për tre raste të dyshimta në Koronavirus COVID-19.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B.

Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve.

Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 25 shkurt 2020, janë raportuar gjithsej 80 377 raste me COVID-19 dhe gjithsej 2 707 raste të vdekjes, derisa në Evropë, janë raportuar 276 raste me COVID-19 dhe 7 raste të vdekjes.