Transportin falas nuk e gëzojnë nxënësit e Svillares së Epërme

Rreth 50 nxënës të arsimit të mesëm të fshatit Svillare e Epërme të Komunës së Sarajit kanë paralajmëruar bojkot të mësimit për shkak të mungesës së transportit publik në fshatin e tyre, shkruan Alsat.

Pavarësisht se kanë biletë mujore pa pagesë, nxënësit janë të detyruar që për çdo ditë të paguajnë transportin privat për të mbërritur në shkollat ku mësojnë.

“Çdo ditë duhet me i nda nga 100 denarë për udhëtim, kur të shkojmë në shkollë dhe të kthehemi. Jo çdo kush mundet me përballu, jo çdo kush e ka ekonominë e njëjtë në familje. Ka nga tre anëtarë në familje që shkojnë në shkollë të mesme dhe kanë shumë harxhime në shtëpi. 1700 kushton për një muaj, nëse e llogaritim 1700 denarë për tre persona, del shumë”, tha një nxënëse.

“Zgjidhja më e mirë për ne si nxënës është të vij ndonjë autobus në fshatin tonë Svillare por nuk e kemi këtë mundësi. Kemi harxhime jashtë mase, vetëm për kombi 100 denarë janë shumë”, u shpreh një tjetër nxënëse.

Siç thanë nxënësit, tashmë një vit kanë dorëzuar kërkesë për zgjidhjen e problemit në Ministrinë e Arsimit, Komunën e Sarajit dhe Ndërmarrjen Qarkulluese Publike por deri më sot, sipas nxënësve, kërkesa e tyre nuk është përfillur.

“Ne si nxënës të Svillares së Epërme nuk i kemi të drejtat që na garantohen me ligj, duhet me pas transportin prej Shkupit. Jemi duke u mundu ne si nxënës ti kërkojmë të drejtat e tona por nuk na kanë përfill aspak, jemi duke u mundu, na kanë thënë po kemi me bë diçka, ne e kemi marr iniciativën me dal nëpër media, me bë shtypje, ndoshta kjo është zgjidhja më e drejtë për ne”, deklaroi një nxënëse.

Alsat kontaktoi institucionet, që sipas nxënësve, janë përgjegjëse për këtë problematikë mirëpo nuk morëm asnjë përgjigje. Për shkak të mungesës së transportit publik, nxënësit e fshatit Svillare e Epërme thuajse çdo ditë humbin nga mësimi ndërkohë që u shënohen edhe mungesa të paarsyeshme./Alsat.mk