Trajneri i Rumanisë: Duhet ta rrisim nivelin e lojës kundër Kosovës, është ndeshje shumë e rëndësishme

Trajneri i Kombëtares së Rumanisë, Edi Iordanescu ka folur në një konferencë për media para ndeshjes me Kosovën.

Rumania dhe Kosova do të përballen të martën nga ora 20:45 në Bukuresht, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024, përcjell lajmi.net.

Iordanescu ka thënë se ndeshja me Kosovën është shumë e rëndësishme për ekipin që ai drejton.

“Jemi para një momenti të rëndësishëm, një ndeshje të rëndësishme për renditjen në tabelë dhe objektivin që e kemi. Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi, por besoj se do të reagojmë”.

“Unë jam jashtëzakonisht realist dhe e pranoj realitetin, kështu që, duhet të rrisim nivelin tonë të lojës duke u nisur nga ndeshja me Kosovën”.

“Ne jemi në garë për kualifikim në Evropian. Jemi në pozitën e dytë dhe të pamposhtur pas pesë ndeshjeve të luajtura. Po ashtu, kemi edhe mbrojtjen më të mirë. Do të vazhdojmë tutje me vetëbesim dhe këtë e pres në ndeshjen e radhës”, deklaroi ai para mediave rumune.

Kosova dhe Rumania janë në Grupin I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Lidere e grupit është Zvicra me 11 pikë, dy më pak ka Rumania. I treti është Izraeli me tetë pikë, katër ka Bjellorusia po aq sa Kosova. E fundit në grup është Andorra me dy pikë.