Trajneri i përkohshëm i Tottenhamit: Jam i gatshëm për punën

Skuadra e Tottenhamit e shkarkoi Christian Stellinin nga pozita e trajnerit të përkohshëm të klubit, duke e zëvendësuar atë me Ryan Mason.
Stellini u shkarkua pas humbjes së tmerrshme 6:1 nga Newcastle, ku në këtë ndeshje Tottenhami kishte pësuar plot pesë gola qysh në pjesën e parë, transmeton lajmi.net.

Shefi i ‘Spurs’, Daniel Levy vendosi ta largojë Stellinin dhe ta sjellë Mason në krye të klubit përkohësisht, deri sa të emërohet trajneri i përhershëm i klubit.

Mason kishte drejtuar Tottenhamin si trajner i përkohshëm edhe gjatë sezonit 2020/21 në shtatë ndeshje, ku kishte regjistruar katër fitore dhe tre humbje.

Tani, i pyetur për punën e trajnerit te ekipi londinez, Mason u shpreh absolutisht i gatshëm.

“Unë ndjehem i gatshëm për punën. E di që jam i gatshëm. Unë jam absolutisht i gatshëm për këtë situatë të përkohshme. E kemi menaxhuar mirë para dy vitesh. Në fund të fundit nga këndvështrimi im ndihem mirë, ndihem gati”, tha Mason.

Tottenhami momentalisht renditet në pozitën e gjashtë në tabelë në kuotën e 53 pikëve, gjashtë sosh larg vendit të katërt që siguron futbollin në Ligën e Kampionëve.