Trajneri i Ludogorets, Petev: Ballkani ishte më i mirë se ne, luajti futboll të mirë

Trajneri i Ludogorets, Ivaylo Petev ishte dukshëm i zemëruar pasi humbi 2-0 nga Ballkani në ndeshjen e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Ballkani ka bërë një hap të madh drejt kalimit të raundit pas fitores 2-0 ndaj Ludogorets në “Fadil Vokrri”, falë golave nga Meriton Korenica dhe Qëndrim Zyba.

Kjo fitore ka gëzuar tifozët shqiptarë, por ka dëshpëruar ata bullgar, e në veçanti trajnerin i cili u pa i zemëruar në intervistën pas ndeshjes.

“Duhet të zbuloj pse gjërat nuk funksionuan. Pas 10-15 minutash, diçka na prishi. Ballkani me të drejtë kaloi në epërsi dhe ata ishin më të mirë se ne. Patëm raste në pjesën e dytë, por një lojë e dobët. Futbolli është një lojë gabimesh”, ka thënë fillimisht Petev pas ndeshjes.

“Në pushim dhe me ndryshimet kam dashur ta mbaj topin gjithmonë. Megjithatë, duhet ta përgëzojmë Ballkanin. Skuadra po luan futboll të mirë. Këtë nuk duhet ta lejojmë në Razgrad”.

“Duhet të punojmë për shumë gjëra. Kemi një ndeshje kundër Krumovgradit. Do të bëjmë shumë ndryshime, pastaj do të presim ndeshjen e dytë”.

“Duhet të ndryshojmë shumë gjëra në ndeshjen e dytë dhe të shënojmë. Do të luftojmë me atë që kemi”, ka përfunduar trajneri i Ludogorets.

Ndryshe, ndeshja e kthimit është paraparë të zhvillohet më 19 korrik, në stadiumin “Huvepharma Arena”.