Trajanov: Do të votoj për ndryshimet kushtetuese nëse Sofja pranon të drejtat e maqedonasve në Bullgari

Armiku më i madh i Republikës së Maqedonisë është korrupsioni dhe krimi. Këto janë forcat: mafia kriminalo-politike që prej më shumë se 30 vitesh vepron me sukses, pa u kërcënuar nga institucionet shtetërore. Armiku kryesor dhe thelbësor është kriminalizimi dhe korrupsioni i lartë. Pa çrrënjosje e krimit, shteti nuk mund të ecë përpara, thotë kryetari i Lidhjes Demokratike të Maqedonisë, Pavle Trajanov.

Sipas tij, krimi dhe korrupsioni po na “gllabërojnë” shtetin dhe prandaj nuk mund të funksionojmë normalisht.

“Po të isha kryeministër do t’i shkrija të gjithë dhe do të zgjidhja me konkurs personat më kompetentë. Nuk mund të jetë drejtor i ndërmarrjeve publike dhe tani të bërtasë se nuk kemi thëngjill, naftë apo mungesë të produkteve strategjike”, tha Trajanov në emisionin “Studio 10”.

Në pyetjen lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe nëse nesër do të mbahet seancë në Kuvend për hapjen e Kushtetutës dhe përfshirjen e pakicës bullgare në preambulë, Trajanov thotë se do të votoj “po” vetëm në bazë të reciprocitetit.

“Nëse Sofja pranon të njohë të drejtat e maqedonasve, atëherë nuk kam asnjë problem. Unë nuk jam kundër që 3.500 bullgarë të jenë pjesë e Kushtetutës, por meqenëse kjo bëhet me kushte dhe me veto, kërkoj që të jetë në baza reciproke dhe një hap i vogël nga Bullgaria që të zbatohen vendimet e gjykatës nga Strasburgu”, tha Trajanov.