Policia zvicerane ka identifikuar 40 personat që humbën jetën në zjarrin tragjik të ndodhur natën e Vitit të Ri në barin “Le Constellation”, në resortin skijues të Crans-Montana-s.
Viktimat ishin nga 14 deri në 39 vjeç, ndërsa 15 prej tyre ishin të mitur. Më të rinjtë ishin një vajzë zvicerane dhe një djalë francez, të dy 14 vjeç. Mes viktimave ka shtetas të disa vendeve europiane dhe jo vetëm, përfshirë Zvicrën, Italinë, Rumaninë, Turqinë, Portugalinë, Francën dhe Belgjikën, si edhe shtetas të Mbretërisë së Bashkuar dhe Izraelit.
Bilanci i të plagosurve arrin në 119 persona, shumica me djegie të rënda. Gjashtë prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe ende nuk janë identifikuar nga autoritetet.
Autoritetet zvicerane kanë nisur një hetim penal ndaj çiftit francez që administronte lokalin, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se shkaku i mundshëm i zjarrit kanë qenë fishekzjarrët dekorativë të vendosur mbi shishe, të cilët janë mbajtur shumë pranë tavanit të lokalit.
Policia njoftoi se nuk do të publikojë detaje të tjera për viktimat, në respekt të familjarëve të tyre. Megjithatë, disa familje kanë konfirmuar vetë humbjen e të afërmve përmes rrjeteve sociale. Mes viktimave është edhe 16-vjeçari Arthur Brodard, vdekja e të cilit u bë e ditur nga nëna e tij në një mesazh prekës në Facebook.
Hetimet po përqendrohen gjithashtu te materialet e përdorura në tavanin e lokalit, për të verifikuar nëse ato ishin në përputhje me rregulloret e sigurisë nga zjarri, bëri të ditur prokuroria e kantonit Valais.
Mes viktimave konfirmohet edhe një adoleshente që kishte ndjekur shkollimin në Mbretërinë e Bashkuar, Charlotte Niddam, 15 vjeçe, si dhe golfisti i ri italian Emanuele Galeppini, 16 vjeç, vdekja e të cilit u konfirmua nga Federata Italiane e Golfit.
Lokali “Le Constellation” njihej si një nga ambientet më të frekuentuara nga të rinjtë në zonë, ku mosha ligjore për konsumimin e alkoolit është 16 vjeç. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie vijojnë.
© SYRI.net




