Tragjedia në Shkup/ Zbulohet identiteti i gruas që humbi jetën pas rënies nga ndërtesa

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin në Shkup, ku një nënë dhe vajza e saj e mitur humbën jetën pasi u hodhën nga një ndërtesë banimi. Familjarët e viktimave shprehen se ato janë “viktima të sistemit”, duke akuzuar institucionet për mosveprim pas denoncimeve të vazhdueshme për dhunë në familje.

Në një reagim publik, vëllai i gruas së ndjerë deklaroi se prej vitesh ishin bërë kallëzime për dhunë fizike dhe psikologjike, kërcënime dhe raste të tjera serioze, por sipas tij, institucionet nuk kishin ndërmarrë masa të mjaftueshme për t’i mbrojtur ato.

“Edhe pse e kam të vështirë, dua të flas në emër të familjes sime. Sot dështoi sistemi. Pas viteve të tëra denoncimesh për dhunë, i humba motrën dhe mbesën,” thuhet në reagimin e tij. Ai kërkoi nga publiku dhe mediat të mos spekulojnë mbi rastin, por të fokusohen në përgjegjësinë institucionale.

Familja thekson se nuk do të ndalet derisa, siç shprehen, drejtësia të vihet në vend, duke kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi për të gjitha institucionet kompetente.

Rasti ka nxitur reagime të shumta në opinion, ndërsa priten informacione zyrtare nga organet hetimore lidhur me rrethanat e plota të ngjarjes.