Tragjedia në Greqi, “zgjohet” OKB-ja: Siguri për rrugët e emigrantëve

Kombet e Bashkuara reaguan pas tragjedisë së një dite më parë pranë brigjeve greke ku fundosja e një peshkarexhe i ka kushtuar jetën dhjetëra njerëzve.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, e përshkroi këtë si “një një shembull tjetër të nevojës që shtetet anëtare të ulen e të krijojnë së bashku rrugë të sigurta dhe të rregullta.

Në këtë process, nënvizoi ai, duhet që të përfshihen “vendet e origjinës, ato transit dhe vendet e destinacionit. Duke i bërë jehonëve këtyre komenteve, sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Antonio Guterres u shpreh i tronditur pas lajmeve për mbytjen e emigrantëve.

“Çdo njeri që kërkon një jetë më të mirë, ka nevojë për dinjitet dhe siguri. Fatkeqësisht, ky ishte vetëm shembulli më i fundit i nevojës që vendet anëtare të bëhen bashkë e të krijojë rrugë të sigurta për kalimin e atyre që janë të detyruar të shpërngulen e ta kalohet në veprime konkrete për të shpëtuar jetë në det e për të ulur numrin e udhëtimeve të rrezikshme”, tha Guterres.

Ministrja gjermane e Zhvillimit, Svenja Schulze po ashtu ka theksuar se tragjedia bën të nevojshme krijimin e rrugëve ligjore të emigrimit në Europë.

“Kush përpiqet që të vijë në Europë përmes rrugëve të rrezikshme, duhet të jetë shumë i dëshpëruar”, u shpreh ajo ndërsa nënvizoi se kompromisi i arritur në BE për politikën e refugjatëve duhet rishikuar, pasi ka nevojë për përmirësim.

79 është deri tani numri zyrtar i viktimave të mbytjes së peshkarexhës së tejmbushur me emigrantë. Por sipas dëshmive e të të mbijetuarve, në bordin e anijes mund të kenë qenë deri në 700 vetë, ndaj autoritetet presin rritje të numrit të viktimave. Peshkarexha e nisur nga qyteti libjan i Tobrukut, nuk ishte në gjendje të mirë.

Edhe pse Athina pretendon se emigrantët kishin refuzuar fillimisht çdo lloj ndihme, disa raporte në media e hedhin poshtë këtë variant të saj duke cituar një komunikim të “Alarm Phone” i cili tregon se rojet bregdetare greke ishin njoftuar për mjetin në vështirësi dhe për faktin që ai ishte i tejmbushur me njerëz, por nuk nisën një operacion shpëtimi.

Top Channel