Tragjedia në Bullgari, edhe pronari i “Besa trans” Shkup dhe familja e tij ishin në njërin nga autobusët që udhëtuan në Turqi

Pronari i “Besa Trans” Shkup, Bekim Haxhiu ka pasur intervistë për Televizionin Nacional të Bullgarisë.

Në intervistë, Haxhiu tha se autobusi ka kaluar të gjitha kontrollet teknike para se të shkojë në Turqi dhe gjithçka ka qenë në rregull. Përjashton mundësinë që ndonjëri nga udhëtarët të ketë bartur materie shpërthyese. Haxhiu deklaroi se ai dhe familja e tij nuk kanë qenë pjesë e udhëtimit, por kanë udhëtuar me autobus tjetër. Fëmijët e tij kanë qenë në autobusin e fundit.

Ai tha se autobusi është prodhim i vitit 2007, por është blerë nga kompania e tij para tre vjetësh. Sipas pronarit, deri tani nuk ka pasur probleme teknike me veturën.

Haxhiu ende e ka të vështirë ta pranojë tragjedinë në autostradën në Struma të Bullgarisë, në të cilën vdiqën 45 persona të cilët udhëtonin me njërin nga autobusët e tij.

“Thash, pse nuk jam edhe unë në këtë autobus? Të vdisja në autobus dhe këtë e kam thënë shumë herë”, tha Haxhiu.

Ai dhe familja e tij shpesh herë kanë marrë pjesë në ekskursionet që i kanë organizuar agjencia e tij.

Këtë herë, nga Maqedonia e Veriut u nisën me katër autobusë. Gjatë kthimit nga Turqia, në autobusin që lëvizte i pari ka udhëtuar pronari i kompanisë dhe bashkëshortja. Fëmijët e tyre kanë qenë në njërin nga autobusët. Në kufi, në dalje nga Bullgaria, Bekim Haxhiu ka mësuar se autobusi ka fluturuar.

“Ju thash të më dërgojnë në vend dhe të shoh me sy të mi çfarë ka ndodhur”, ka shtuar ai, përcjell TV21.

Haxhiu me veturë taksie ka shkuar në vendin e tragjedisë, por refuzoi të komentojë fatkeqësinë pasi hetimi është ende në rrjedhë. Sërish, tha se tre javë para aksidentit autobusi ka kaluar kontrollin teknik. Në mënyrë shtesë, para çdo udhëtimi, të gjitha veturat kalojnë nëpërmjet qendrës të servisimit.

“Para se të largohemi për në Turqi i kemi servisuar, kontrolluar dhe madje edhe kur arrijmë në Stamboll, edhe atje i dërgojmë në servis për kontroll. Transportojmë udhëtarë, të shohim në çfarë gjendje janë. Gjithçka ishte në rregull aty”, tha pronari i “Besa trans”, Bekim Haxhiu.

Ka hedhur poshtë mundësinë që në autobus të ketë pasur gypa me derivate dhe për shkak të kontrolleve të rrepta në kufijtë bullgarë, ai tha se përjashtohet edhe mundësia që udhëtarët të kenë pasur me vete mjete piroteknike.