Tragjedia në autostradën Shkup-Bllacë, familjarët kërkojnë përgjigje: Kush lejoi hyrjen në segmentin e mbyllur?

Familjarët e tre personave që humbën jetën në aksidentin tragjik në segmentin e autostradës Shkup-Bllacë kanë angazhuar avokatin Arianit Koci për t’i përfaqësuar në procedurat ligjore dhe për të kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Koci bëri të ditur se, së bashku me familjarët e viktimave Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani, ka vizituar Policinë e Maqedonisë së Veriut, ku, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje për një sërë pyetjesh kyçe lidhur me aksidentin fatal që ndodhi në një segment të autostradës, i cili zyrtarisht ishte i mbyllur për qarkullim.

Sipas avokatit, ende nuk dihet se cila kompani e ka ndërtuar këtë pjesë të autostradës, kush ka mbikëqyrur punimet dhe kush ka qenë përgjegjës për sigurimin e saj.

Ai kërkon sqarime edhe për faktin se pse hyrja në segmentin e mbyllur nuk ishte bllokuar fizikisht, duke lejuar automjetin të vazhdonte lëvizjen deri në fund të rrugës, ku përfundonte në një gropë.

Koci theksoi se vetëm pas aksidentit hyrja në këtë segment u bllokua me zhavorr dhe u vendosën shenja të komunikacionit, duke ngritur pyetjen pse këto masa nuk ishin ndërmarrë më herët për të parandaluar tragjedinë.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka informacione nëse është ndaluar apo është marrë në përgjegjësi ndonjë person në lidhje me rastin.

Avokati ngriti edhe çështjen e kostove që kanë përballuar familjarët e viktimave, duke bërë të ditur se ata kanë paguar 2.800 euro për transportimin e trupave të pajetë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.

Sipas Kocit, të paktën ky shpenzim duhej të ishte mbuluar nga shteti, duke pasur parasysh rrethanat tragjike në të cilat ndodhi aksidenti.