Vijon operacioni i koduar “Stolen line”. Sekuestrohen 2 automjete të tjera, tip “Audi SQ8” dhe “BMW”, me vlerë 120 000 euro, të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në Shqipëri.
Identifikohen dhe procedohen penalisht 2 shtetasit që dyshohet se kanë trafikuar në Shqipëri, me qëllim shitjen, 2 automjetet e vjedhura në Gjermani dhe në Zvicër.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme goditën 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u sekuestrua 1 automjet tip “Audi SQ8”, me vlerë rreth 70 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani. Për këtë rast nisi procedimi penal për shtetasin H. P., 29 vjeç, i cili dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen;
-u sekuestrua 1 automjet tip “BMW”, me vlerë rreth 50 000 euro , i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Zvicër. Për këtë rast nisi procedimi penal për shtetasin K. B., 50 vjeç, i cili dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Operacioni “Stolen Line” vijon.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



