Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se të gjithë kandidatët që kanë kaluar me sukses seleksionimet dhe kriteret eliminatore do të pranohen në Shkollën e Mesme Policore.
Fillimisht ishte paraparë që në shkollë të pranoheshin 200 nxënës, por pas analizave dhe konsultimeve me institucionet përkatëse, si dhe sigurimit të mjeteve financiare, Qeveria ka vendosur që të pranojë të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet.
“Numri i përgjithshëm i kandidatëve që i kaluan kriteret eliminatore, të cilat lidhen me arsimin, notat, sjelljen, karakteristikat fizike dhe shëndetësore, është rreth 300. Bëmë një analizë të detajuar nëse mund t’i pranojmë të gjithë, biseduam me Ministrinë e Financave dhe Qeveria vendosi se mund t’i pranojmë të gjithë. Do të ishte me të vërtetë për të ardhur keq të lëmë jashtë cilindo prej atyre fëmijëve që i kanë plotësuar kushtet”, deklaroi Toshkovski në një intervistë për programin e mëngjesit në Televizionin Alfa.
Ai shprehu kënaqësi për interesimin e madh për shkollën, e cila rikthehet pas 26 vitesh. Për këtë gjeneratë kanë aplikuar mbi 600 kandidatë, ndërsa ministri vlerësoi se interesimi tregon dëshirën e të rinjve për të ndërtuar karrierën e tyre në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve.
Shkolla do të nisë punën më 1 shtator, ndërsa nxënësit do të vazhdojnë arsimin në klasat e treta dhe të katërta.
Toshkovski theksoi gjithashtu se të gjithë nxënësit që e përfundojnë me sukses Shkollën e Mesme Policore do të bëhen pjesë e sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në përputhje me marrëveshjet që do të nënshkruhen me ta.
“Të gjithë ata që do ta përfundojnë me sukses Shkollën e Mesme Policore do të jenë pjesë e sistemit. Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme që ata të bëhen pjesë e MPB-së. Jam i bindur se kjo gjeneratë në të ardhmen do të jetë krenaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, përfundoi Toshkovski.



